Qeveria po planifikon të fusë në regjim TVSH-je edhe biznesin e vogël. Argumenti i dhënë është se po i kërkohet “biznesit të vogël që të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit e duke përfshirë në regjimin e TVSH-së do të mbyllen hapësirat për të gjithë ato biznese të mëdha që faktikisht nuk shkarkojnë TVSH-në”.

Një argument tjetër është se nga ana tjetër do të pamundësohet që një pjesë e bizneseve të vogla të bëjnë konkurrencë të pandershme me pjesën tjetër, duke mos pranuar faturë TVSH-je nga të mëdhenjtë.

TVSH-ja është një tatim mbi qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve (konsumin). Ai mblidhet nga personat që janë të regjistruar për këtë lloj tatimi nëpërmjet shitjes së shërbimeve dhe kryerjes se furnizimeve të ndryshme që i bëjnë konsumatorit më të parë.

Çdo person i tillë në qarkullimin që kalon malli apo shërbimi nga burimi i furnizimit dhe deri te konsumatori i fundit vendoset një vlerë e shtuar e cila mblidhet nga shitësi për llogari te shtetit. Konsumatori i fundit është ai që kryen qarkullimin final me shumat e vlerave të shtuara furnizimit qe ai ka blerë në çdo hap që ka kaluar furnizimi.

Në ditët e sotme TVSH-ja mbetet forma më e favorshme e multiqarkullimit të përgjithshëm të mallrave dhe shërbimeve. Për të qenë e tillë, TVSH-së i duhet të ketë një bazë të gjerë tatimpaguesish, me të ardhura të qendrueshme. Ajo në strukturën e të ardhurave është një mekanizëm i thjeshtë i vlerësimit dhe mbledhjes së të ardhurave.

Por çfarë ndodh me bizneset e vogla nëse përfshihen në regjim TVSH-je?

Për këtë qëllim, portali ekonomik “SCAN” pyeti kontabilistin Erjol Hoxhaj nga “Albanian Tax&Consulting” i cili shpjegon me shembuj konkretë atë që mund të ndryshojë për tregtarët. 

Shpjegimi i plotë:  

Marrim rastin e një biznesi në fushën e shërbimeve “servis makinash”, të kategorizuar si biznes i vogël pa TVSH.

Për një shërbim “ndërrim vaj-filtra”, servisi të faturonte një faturë me vleftë totale 1200 lekë pa TVSH. Të ardhurat e servisit në këta rast ishin 1200 lekë .

Supozimi 1 :Nëqenëse do të aplikohet TVSH për këtë rast dhe nuk do të ndryshonim çmimin , nga 1 Janari i 2018 servisi do t’ju faturojë një faturë me TVSH  respektivisht (vleftë pa TVSH 1.000 lekë + TVSH (20% ) 200 lekë = vlefta totale 1.200 lekë) .

Në këtë rast të ardhurat e biznesit pra servisit do të shkonin 1.000 lekë dhe 200 lekë TVSH do t’ia paguante tatimeve në fund të muajit si TVSH të pagueshme.

Pasojat :Në këtë rast penalizohet biznesi i vogël sepse do t’i uleshin të ardhurat nga 1200 lekë në 1000 lekë duke humbur 200 lekë të cilat kalojnë në arkën e shtetit . Konsumatori final nuk penalizohet .

Supozimi 2 : Për të evituar humbjen që përmendëm në supozimin 1 dhe për të realizuar të njëjtat të ardhura biznesi është i detyruar të rrisë çmimin, në faturën e re të TVSH që do të presë nga 1 Janari 2018 do të kishim ( vlefta pa TVSH 1.200 lekë + TVSH (20%) 240 lekë = vlefta totale =1.440 lekë ) . Në këtë, rast të ardhurat e biznesit nuk ndryshojnë ngelen 1.200 lekë , sepse nga 1.440 lekë që arkëton biznesi, 240 lekë ja paguan tatimeve në formën e TVSH dhe 1.200 lekë ngelen të ardhurat .

Pasojat : Rritet çmimin i shërbimeve dhe mallrave në treg duke penalizuar drejtëpërdrejtë xhepat e konsumatorëve .

Përfitimet : Përfituesi i vetëm është shteti i cili rrit të ardhurat mbledhja e TVSH -së , të cilat nëqenëse përdoren për të mira publike, përfiton e gjithë shoqëria . Erjol Hoxhaj